Prej më shumë se 7 vitesh merrem me E-commerce dhe bashkëpunoj me kompani që përpunojnë nga 1 deri në 1,000 pako në ditë. Kam parë çdo lloj rruge — nga bizneset që sapo nisin me një porosi, deri tek ata që kanë ndërtuar sisteme të plota dërgesash.
Dhe një gjë e kam kuptuar qartë:
Problemi i e-commerce në Shqipëri nuk është gjithmonë tek bizneset. Shpesh është tek sistemi.
Kompanitë shqiptare duan të ecin përpara. Shumë prej tyre po investojnë, po krijojnë website, po punojnë me agjenci serioze marketingu dhe po kërkojnë mënyra që t’i ofrojnë klientit një eksperiencë moderne. Por kur përballen me realitetin, gjërat komplikohen.
Po ju jap disa shembuj konkretë që i kam përjetuar vetë:
Integrimi i pagesave online:
Nëse sot shkon në një bankë për të marrë një Virtual POS, për ta integruar në web ose në aplikacion, ke shumë pak gjasa të marrësh një përgjigje të qartë.
Një bankë nuk ta ofron fare.
Një tjetër e ka në sistem, por stafi nuk e di çfarë është.
Tjetra të kërkon një dosje me 100 dokumente.
Një tjetër të thotë “të marrim ne vetë në telefon”, dhe pas katër muajsh, të kujtohet dikush nga banka dhe të thotë: “Ah po, ju kishit kërkuar V-Pos!” 😅
Këto nuk janë raste të rralla, janë përditshmëria e shumë bizneseve që duan të bëjnë një hap përpara. (të gjitha më sipër më kanë ndodhur mua)
Platforma ndërkombëtare si Stripe nuk funksionojnë në Shqipëri, për shkak të politikave shtetërore dhe mungesës së harmonizimit ligjor.
Dhe nëse e sheh në praktikë, kjo ndikon edhe në sektorë të tjerë p.sh. në hotele, ku klienti shpesh nuk mund të paguajë paraprakisht me kartë, sepse hoteli s’mund të mbajë asnjë shumë si garanci (kjo ndodh në Shqipëri ku ju djegin datat kot dhe konkurentet dhe klientët)
Sërish, jo për faj të biznesit, por për shkak të politikave dhe mungesës së infrastrukturës financiare.
Nga ana tjetër, edhe sjellja e konsumatorit është një sfidë më vete.
Nëse sheh tregun shqiptar, shumë klientë blejnë pa problem në TEMU, ZARA, Shein, etj., por kur vjen puna për të blerë nga një faqe shqiptare, kërkojnë:
– foto reale të produktit,
– kontakt në WhatsApp,
– dhe më e zakonshmja: “dua ta shoh live para se ta paguaj” “dua të hap pakon pastaj ta paguaj”, ku tek kjo e fundit i shtohet dhe postave një hall në itinerarin e punës me vonesa të shpërndarjes.
Kjo tregon mungesë besueshmërie, që nuk zgjidhet me një fushatë marketingu, por me edukim gradual të tregut.
Për ta bërë ironinë më të plotë: ndërsa shumë kompani të huaja punojnë me sisteme automatike, ne ende shesim me mesazhe nga Rrjetet Sociale. Dhe kjo nuk ndodh sepse bizneset s’duan të përparojnë, por sepse çdo hallkë e sistemit është e ngadaltë.
Në anën pozitive, unë vetë kam gjetur një zgjidhje për pagesat online që nuk ka kosto mirëmbajtjeje dhe vetëm 3% komision fee që e kam aplikuar tek website im sepse çdo gjë e doja automatike.
Është një sistem që më ka lehtësuar ndjeshëm punën dhe më ka bërë të kuptoj se kur ka vullnet, gjenden mënyra për ta çuar përpara këtë fushë.
Por, në fund të ditës, nuk është e drejtë t’i hedhim fajin vetëm bizneseve.
Shumica e tyre janë gati të digjitalizohen.
Ajo që mungon është mbështetja institucionale, edukimi financiar dhe një sistem që funksionon për biznesin, jo kundër tij.
E-commerce nuk është thjesht një faqe me produkte. Është një kulturë, një proces, një ekosistem që kërkon bashkëpunim nga të gjitha anët: biznes, banka, shtet dhe konsumator.
Vetëm atëherë mund të flasim për një treg të vërtetë digjital shqiptar.
✍️ Krenar Myrteza
Senior Meta Ads & Security Specialist