Mëso si të rritesh në Instagram dhe Facebook me kurset tona profesionale. Mëso më shumë!

Shitjet online në Shqipëri: detyrimi për NIPT dhe publikimin e të dhënave

Rregullimi i shitjeve online: mes formalizimit dhe realitetit shqiptar.

Sipas vendimeve të fundit për veprimtarinë tregtare online (ato që lexoni tek fotoja më sipër), çdo shitje e kryer përmes internetit konsiderohet zyrtarisht veprimtari ekonomike–tregtare. Kjo do të thotë detyrim regjistrimi, tatimi dhe publikimi i të dhënave identifikuese të biznesit. Në letër, gjithçka duket e qartë dhe e rregulluar. Në praktikë, realiteti është shumë më kompleks.

Pyetja e parë që  më lind natyrshëm është nëse ky vendim do të zbatohet realisht apo është thjesht një formë presioni. Historia e tregut shqiptar na ka mësuar se ligjet shpesh ekzistojnë, por zbatimi i tyre ka qenë selektiv. Sot ekzistojnë mijëra faqe aktive që shesin online, shumica e tyre të paregjistruara. A ka kapacitete reale administrata që të merret një nga një me të gjitha këto faqe, apo do të shohim sërish disa raste simbolike që shërbejnë më shumë si mesazh frikësues sesa si rregull real? Apo mos ndoshta do të krijohet një “AI” si Diella që t’i kontrollojë të gjitha? Skeptik jam 😀

Një tjetër shqetësim i pashmangshëm lidhet me rrezikun e rritjes së abuzimit dhe korrupsionit. Sa herë që rregullat shtrëngohen pa transparencë, pa fazë kalimtare dhe pa udhëzime të qarta, krijohet terren për “zgjidhje alternative”. Pagesat nën dorë nuk janë një teori, por një realitet që është shfaqur herë pas here në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Pyetja është nëse ky proces do të prodhojë rregull apo thjesht do të zhvendosë informalitetin në forma të tjera.

Nga ana tjetër, është e pamundur të mohohet se ky vendim ka edhe një anë pozitive. Për vite me radhë, bizneset që kanë qenë të rregullta, që paguajnë tatime, kanë staf, magazinë, logjistikë dhe kosto reale, kanë konkurruar në kushte të pabarabarta me faqe që shesin pa asnjë përgjegjësi. Në këtë kuptim, formalizimi nuk është ndëshkim, por përpjekje për të barazuar lojën.

Por problemi nuk ndalet vetëm te tatimet. Një nga pasojat më të rënda të informalitetit ka qenë humbja e besimit të konsumatorit. Për vite me radhë, shumë faqe shqiptare kanë mashtruar: produkte ndryshe nga reklamat, mungesë kthimi, mungesë kontakti dhe zhdukje pas pagesës. Si pasojë, shumë blerës sot nuk u besojnë më faqeve shqiptare dhe preferojnë platforma të huaja ose heqin dorë fare nga blerjet online brenda vendit.

Kjo e çon debatin në një pyetje thelbësore: kush e mbron konsumatorin? Nëse formalizimi zbatohet drejt, ai mund të shërbejë jo vetëm si instrument fiskal, por edhe si mekanizëm mbrojtjeje për blerësin dhe si rikthim i besimit në treg. Nëse zbatohet gabim, rrezikon të prodhojë më shumë informalitet, më shumë padrejtësi dhe më shumë zhgënjim.

Një tjetër pikë shumë e rëndësishme, që prek drejtpërdrejt bizneset online të rregullta, lidhet me njohjen e kostove. Sot, edhe bizneset që janë të regjistruara dhe paguajnë detyrimet e tyre hasen me vështirësi serioze në njohjen e shpenzimeve të marketingut digjital, veçanërisht sponsorizimet në platforma si Meta apo Google. Pyetja që shtrohet është: a do ta bëjë ky formalizim procesin më të thjeshtë? A do të njihen realisht këto kosto si shpenzime të ligjshme biznesi, apo do të vazhdojë praktika aktuale ku kërkohen fatura me vulë apostile dhe dokumentacion që shpesh është i pamundur për t’u siguruar?

Nëse edhe pas formalizimit, bizneset online do të vazhdojnë të penalizohen duke mos u njohur shpenzimet kryesore që i mbajnë gjallë – reklamat – atëherë problemi nuk zgjidhet, por thjesht zhvendoset. Një treg online nuk mund të funksionojë pa marketing digjital, dhe marketingu digjital nuk mund të trajtohet si shpenzim “i dyshimtë” në vitin 2026.

Në fund të ditës, pyetja nuk është nëse duhet rregullim. Kjo është e qartë që po. Pyetja e vërtetë është nëse do të kemi një rregull real, të barabartë për të gjithë, me logjikë ekonomike dhe jo vetëm me gjoba.

Dhe këtu vjen edhe përfitimi real për bizneset që janë të rregullta. Një biznes i formalizuar fiton besim nga klientët, fiton mundësi për t’u rritur pa frikë, fiton akses në banka, platforma pagese, bashkëpunime dhe reklama pa kufizime. Fiton mbrojtje ligjore kur ka konflikt dhe mbi të gjitha fiton mundësinë për të ndërtuar një markë afatgjatë, jo një faqe që shitet sot dhe zhduket nesër.

Në një treg që po përpiqet të piqet, të qenit i rregullt nuk është më dobësi. Në afatgjatë, është avantazhi i vetëm real.

✍️  Krenar Myrteza
Senior Meta Ads & Security Specialist

You May Also Like

Si ta rritesh reach-in me shpejt ne Instagram Algoritmi i Instagramit po evoluon vazhdimisht dhe ne vitin 2026 fokusi i...
  • December 26, 2025
Prej më shumë se 7 vitesh merrem me E-commerce dhe bashkëpunoj me kompani që përpunojnë nga 1 deri në 1,000...
  • October 28, 2025
Në këtë shkrim, eksplorojmë se si shqyrtohen reklamat, pse ato shpesh refuzohen dhe si të siguroheni që reklamat tuaja përputhen...
  • October 14, 2025